Polemika pati, dhe rezultati edhe mund të kishte qenë tjetër, por si ndodh që Reali të pësojë kaq shumë dështime në këtë kampionat, siç i ndodhi sonte ndaj Sociedadit. Edhe pse u luajt në Madrid, sërish erdhi një humbje, e gjashta këtë sezon në La Liga (!!!). Gjashtë disfata në 18 ndeshje, dhe po flasim për Realin, që duket se nuk dëshiron, që nuk dëshiron të luftojë për titullin.
Kampionati është një mallkim, dhe është shumë çudi për një skuadër që ka fituar 4 nga 5 Championsit e fundit, por që në Spanjë ka triumfuar vetëm dy herë në 10 vitet e fundit. Shtatë herë ka mbetur prapa Barcelonës së Lionel Mesit.
Sociedadi shënoi që në minutën e tretë me penallti, me anë të Uilliam Zhozesë, dhe dyfishoi shifrat 7 minuta para fundit, kur realizoi Ruben Pardo. Lukas Vaskez u nxorr me të kuqe në 61’. Madridi pati mjaft raste, me anë të Benzemasë, Vinisiusit (më të mirit madrilen), Iskos, goditi edhe shtyllën, dhe kërkoi (me të drejtë) një penallti shkaktuar ndaj Vinisiusit. Gjyqtari nuk e dha, por duket një justifikim për humbjen e Realit, që mbeti në kuotën e 30 pikëve, jashtë zonës Champions.
Sfidanti.al