Mrekullia e Kupës së Anglisë, kategoria e katër eleminon Premierin

Leister Siti mund të jetë një skuadër e Premier Ligës, madje edhe kampione e saj në vitin 2016. Gjithsesi, kur je në “territorin” e Kupës së Anglisë, njohur dikur si Kupa e Mbretëreshës, mund të mos jesh askushi. Leisteri e kuptoi në “lëkurën e vet” kur u mund 2-1 në fushën e skuadrës së kategorisë së katërt, Njuport Kaunti, duke u eleminuar, që në raundin e tretë.

Kupa e Anglisë njihet për të papriturat e mëdha, por sa herë që ndodh është e mrekullueshme. Vendasit kaluan në epërsi në minutën e 10-të kur Xhemill Mat shënoi me kokë, pasi kërceu mbi mbrojtjen. Kur kishin mbetur vetëm 10 minuta, Rashid Gezal barazoi për miqtë, veçse pak më vonë, Njuporti fitoi penallti, dhe e ktheu në gol me anë të Padreig Amondit. Një sukses i jashtëzakonshëm (dhe njëkohësisht i zakonshëm) për një ekip që ndodhet 74 pozicione poshtë Leisterit, në “shtyllën” e futbollit anglez.

Gjithsesi, kjo nuk ishte “bomba” e vetme e raundit të tretë. Skuadra tjetër e Premier Ligës, Fulhami, u eleminua nga  Oldham Atletiku, gjithashtu të kategorisë së katërt, madje duke u mundur në fushën e vet. Një tjetër disfatë që mban “era” Leister pasi trajner i Fulhamit është Klaudio Ranieri, njeriu që fitoi titullin me “dhelprat” në 2016.

Sfidanti.al