“Trajneri i të gjithë trajnerëve” ngjitet në “qiell”, shuhet Mirosllav “Çiro” Bllazheviç!

Ishte hera e parë në skenën e madhe dhe u arrit ajo që nuk mendohej. Kombëtarja e Kroacisë në futboll mahniti gjithë botën kur si debutuese marshoi deri në gjysmëfinalen e Kupës së Botës të vitit 1998 në Francë. Vetëm vendasit, që u shpallën më pas kampionë të rruzullit, i ndaluan ballkanasit që drejtoheshin nga trajneri Miroslav Blazheviç. Nuk harrohen fitoret me yjet Shuker, Boban apo Prosineçki, duke mundur 3-0 Gjermaninë e madhe në çerekfinale. Ky personalitet kroat u shua pikërisht këtë të mërkurë në moshën 88-vjeçare në Zagreb. Me nofkën “Çiro” dhe i mbiquajtur “trajneri i të gjithë trajnerëve”, Blazheviçi pati një karrierë të gjatë, që e nisi si futbollist në vitet 50-të e 60-të të shekullit të kaluar, për të shkëlqyer sidomos në stol.

Pasi drejtoi ekipe të shumta në Zvicër dhe në Jugosllavi, dhe pasi u shpall kampion me Grasshopersin, vendosi të provonte një aventurë të jashtëzakonshme tek Prishtina, të cilën e udhëhoqi në Ligën e Parë të Jugosllavisë në mesin e viteve 80-të, kur ekipi kishte brezin e artë të Fadil Vokrrit, Batroviçit, Canës, Nexhipit apo Muriqit. Në intervistën e dhënë për mediat kroate në 2016, Blazheviçi e cilësoi braktisjen e kampionëve të Zvicrës për Prishtinën si “aventurë të paharrueshme”.

Me Dinamon e Zagrebit fitoi titullin në Jugosllavi dhe po ashtu në Kroaci, si dhe disa kupa, siç bëri edhe me Hajdukun e Splitit, ndërsa në Bosnjë-Hercegovinë fitoi titullin me Slobodën e Tuzlës. “Çiro” pati raport shumë të afërt me ish-presidentin e Kroacisë, Franjo Tuxhman, dhe është legjendare telefonata e tij pas suksesit në Francë në 1998 duke i thënë se “president, ne luajtëm ashtu siç na e kërkove ti”. Në pesë vjet u shuan 4 trajnerë të njohur kroatë, mes të cilëve spikat Oto Bariç, ish-selektori i Shqipërisë, si dhe Kranjçar, Poklepoviç dhe Blazheviç. Shumë vjet më parë, vdiq edhe ish-trajneri tjetër i kombëtares sonë, Josip Kuzhe.

Sfidanti.al