Shpejt kuqezinjtë pritet të luajnë ndeshjen e parë me trajnerin e ri. Silvinjos do t’i takojë debutimi pikërisht në Poloni në startin e eliminatoreve të Europianit, ndërsa pritet që në grumbullimin e ekipit të ketë disa ndryshime. Kombëtarja besohet se nuk do të mblidhet në kompleksin “Tropikal” në Durrës, siç ka qenë traditë prej shumë viteve, por do të kthehet në Tiranë. Grumbullimi mendohet se do të jetë në “Shtëpinë e Futbollit” në kryeqytet, që sot është selia e Federatës Shqiptare, dhe pikërisht aty kuqezinjtë janë stërvitur shumë kohë më parë kur ishte ende kompleksi i klubit Dinamo. Silvinjo do ta thërrasë ekipin në 20 mars, ku pritet të ketë edhe të reja, por përpara ndeshjes me polakët do të luhet një miqësore. Nuk dihet saktë data e këtij takimi, as kundërshtari dhe as vendi ku do të luhet, por besohet se ai do të zhvillohet jo shumë ditë përpara Polonisë. Po ashtu, rivali pritet të mos jetë tepër i fortë, në mënyrë që Silvinjo të mund të provojë lojtarët, që të mos ketë mbilodhje dhe ndonjë dëmtim. Ndeshja eliminatore e Europianit ndaj Polonisë do të luhet në 27 mars në fushë kundërshtare dhe shpresa është që trajneri brazilian të ketë një nisje të mbarë.
Sfidanti.al