Është vërtet një lajm i habitshëm që vjen nga Anglia, dhe që me gjasë duhet të jetë i vërtetë. Tomas Strakosha, portieri i kombëtares shqiptare, është pranë marrëveshjes me Mançester Junajtidin, për të qenë pjesë e tyre që nga sezoni i ardhshëm. Mediat shkruajnë se “djajtë e kuq” duan një portier për ta pasur në krah të David De Geas, ndërsa Henderson u largua për tek Notinhem Foresti. Gardiani 27-vjeçar u largua nga Lacio në përfundim të sezonit të fundit, pas një qendrimi prej 10 vitesh në Itali, dhe 8 edicionesh në Serinë A. Ai ishte pranë dy ekipeve të tjera angleze si Fulhami dhe Çelsi, por sa duket është më shumë i bindur nga ekipi në stadiumin “Old Traford”.
Gjithsesi, Strakosha me gjasë po merr përsipër një rrezik për karrierën, sepse tek Junajtidi titullar i padiskutueshëm do të jetë spanjolli De Gea, që është në formë të shkëlqyer e duke u cilësuar si njëri nga portierët më të mirë në botë. Kjo do të thotë se portieri kuqezi mund të provojë stolin për një kohë të gjatë, ndryshe nga sa ndodhi në Itali. Mançester Junajtidi drejtohet këtë vit nga trajneri holandez, Erik Ten Hag, i cili dëshiron të kthejë ekipin në lavdinë e dikurshme, për ta bërë pretendent për titull në Premier Ligën angleze dhe në Champions, ndërsa nuk dihet nëse Strakosha do të mundet të luajë në krah të Kristiano Ronaldos, pasi portugezi nuk është bashkuar me ekipin dhe mund të largohet.
Sfidanti.al