Sipas medias gjeorgjiane, paskan ndodhur dy turpe në stadiumin “ Gori”: Partizani ka fituar ndeshjen në fushën e tyre dhe në stadiumin e Subertalos kanë ikur dritat! Cili është turpi më i madh? Nga Partizani nuk ishin mundur më parë, kurse “loja me dritat” ku dominon errësira, kish ndodhur edhe më parë. Tamam tamam, ishte hera e tretë që në stadiumin e Gorit pllakos “nata” mu në mes të “ditës”. Dhe këtë e kanë provuar të mëdhenj e të vegjël: njëherë Kombëtarja e Gjeorgjisë dhe tjetrën, ekipi i 21 vjeçarëve…
Pra, humbësit Saburtalo iu fikën dy herë dritat : një herë në ndeshje nga Partizani dhe një herë nga të vetët! Por edhe fituesi nuk vjen nga një planet tjetër, nuk është debutues kur hiqet spina e dritave. I ka ndodhur pak vite më parë kur luante derbin me Tiranën, dhe stadiumi “Selman Stërmasi” u shpëtua nga “qirinjtë e tifozëve”..nga dritat e celularëve.
Dhe kulmi në “lojën me dritat” ka ndodhur me ekipin më të mirë në Botë, me Realin e Madridit të Kristiano Ronaldos kur u ndesh në Tiranë në “Qemal Stafa” me Gramozin liliput, që brenda natës na u shit si “hollivud me top”. Një errësim rekord minutash në Tiranë, sa presidenti i Realit, Perez urdhëroi Ronaldon dhe yjet e Realit me një stil mbresëlënës: “ Do të presim deri sa t’i sjellin dritat prapë ..ata që i morrën!”
Sfidanti.al