Gjokoviçi: Qiriosin e vlerësoj lart sepse më doli në krah kur ishte në vështirësi!

Kush e harron janarin e këtij viti kur ai u bë “preja e gjuetisë” e mediave perëndimore, e qeverisë dhe e drejtësisë australiane. Arsyeja për sulmin ndaj Novak Gjokoviçit ishte se tenisti serb nuk pranoi të vaksinohej dhe për këtë u përjashtua nga Grand Slemi i Melburnit, Australian Open. Shumë pak njerëz i dolën në krah në atë kohë, dhe rivali i tij i madh, Rafael Nadal, e kritikoi. Këtë gjë nuk e bëri tenisti rus, Danil Medvedev, dhe sidomos australiani me origjinë greke, Nik Qirios, që i doli në krah. Të dielën, në finalen e Uimbëlldonit do të ndeshen pikërisht Gjokoviç e Qirios, dhe serbi e vlerësoi lart rivalin. “Kur kalova nëpër momente të vështira, – tha Nole, – ai ishte një nga të rrallët që qendroi krah meje. Kjo është diçka që e vlerësoj dhe e respektoj shumë”. Gjokoviç vlerësoi se finalja do të jetë e vështirë sepse Qiriosi është lojtar për ndeshje të mëdha dhe fitoret kryesore i ka ndaj rivalëve me emër. Të dy kanë luajtur dy ndeshje në 2017 që i ka fituar Qiriosi, ndonëse në çimento jo në bar.

Sfidanti.al