Tomas Myleri tallet me Mesin: Ndaj tij e kemi të lehtë!

Ky futbollist e ka pasur të lehtë jo vetëm me argjentinasin. Sa herë që Tomas Myleri është ndodhur përballë ekipeve të tij, ai ka shkëlqyer dhe ka shënuar gola. Ndaj Barcelonës, ku Mesi ishte një legjendë, sulmuesi gjerman shënoi 7 gola në 6 ndeshje dhe në shumicën e herëve ishte fitues. Historia vazhdoi edhe në mbrëmjen e së mërkurës, kur Myleri u kualifikua me Bajernin ndaj Paris Sen Zhermenit të Mesit. Rezultati 3-0 nuk la vend për dyshim, dhe ylli bavarez e ngacmoi rivalin e tij në një nga intervistat pas ndeshjes.

“Ndaj Mesit gjërat shkojnë gjithmonë mirë përsa i përket rezultatit, – thotë ai, – Në nivel klubi, Ronaldo ishte më shumë problem për ne, kur ishte tek Reali. Gjithsesi, unë kam respektin më të madh për atë që Mesi bëri në Kupën e Botës. Ishte i mahnitshëm dhe mori skuadrën me vete. Nuk ishte e lehtë ndaj PSG-së”.

E vërteta është që Mesi ka shënuar një gol të madh ndaj Bajernit në 2015, kur Barcelona fitoi Championsin, por Ronaldo ka qenë shumë më i rrezikshëm. Legjenda portugeze ka realizuar 9 herë ndaj bavarezëve duke qenë rreziku më i madh për ta për vite me radhë.

Sfidanti.al