Skela zbret në fushë tek Frankfurti, vetëm në Shqipëri klubet i harrojnë legjendat!

Njëzet vjet më parë ka qenë një yll i ekipit të shquar. Ervin Skela nuk ishte vetëm mesfushori virtuoz që nuk e ka as sot kombëtarja shqiptare, por edhe një figurë e Ajntrahtit të Frankfurtit, ndaj edhe klubi gjerman, fitues i Ligës së Europës në fuqi, e pati në listën e të ftuarve të shquar në lamtumirën e karrierës së legjendës tjetër, Aleks Majer. Ish-sulmuesi e ish-mesfushori ofensiv pati një ceremoni të merituar në stadiumin e Frankfurtit, në prani të 38 000 spektatorëve, dhe klubi e nderoi pafund për kontributin 14-vjeçar, me 137 gola në rreth 380 ndeshje. Skela mbajti në shpinë fanelën me numrin 7, atë që mbante në fushë për Ajntrahtit në vitet 2000-2004, dhe ishte protagonist.

Ai shërbeu Majerin në njërin nga golat e shënuar, por edhe realizoi vetë. Në moshën 45-vjeçare, vlonjati tregoi se nuk ka humbur shumë nga forma fizike, ndërsa talenti nuk është zbehur aspak. Me dy gola, ai u bë po aq hero në këtë lamtumirë, sa edhe vetë Majeri. Jo vetëm kaq, por qendroi në fushë tepër gjatë, më shumë se shumica e yjeve të tjerë. Aleks Majeri luajti nga një pjesë loje për secilin ekip, me fanelën e bardhë dhe të errët, ndërsa në fund mori brohoritjen e fundit nga publiku. Sa për Skelën, ai është i famshëm në Frankfurt, ndërsa prej disa kohësh punon si trajner në Akademinë e klubit.

Sfidanti.al