Totenhemi fitoi dhe e mbërriti në renditje, ndërsa Arsenali mbetet mbi të në renditje, edhe pse ka një ndeshje më pak. Të tillë si Çelsi apo Liverpuli nuk janë kurrë larg, e po ashtu edhe Mançester Junajtidi. E qartë që Mançester Siti nuk do ta ketë të lehtë të mbrojë titullin në Premier Ligën angleze, e cila këtë sezon duket edhe më e hapur. Barazimi 1-1 në fushën e Aston Vilës tregoi se skuadra e Pep Guardiolës do të duhet të luftojë me shpirt e me dhëmbë për çdo pikë, për çdo fitore. Një paralajmërim, pas atij ndaj Njukasëllit (3-3).
Erling Halandi e bëri sërish punën e tij, shënoi golin e 10-të në 6 ndeshje duke qenë numri 1 në Europë. E megjithatë, gjigandi norvegjez nuk do të mjaftojë gjithmonë, ashtu si dikur nuk mjaftonin as Stërlingu e Gabriel Zhezusi. Aston Vila e trajnerit Stiven Xherrard luftoi me forcën e atij që po mbytet dhe që kishte vetëm 3 pikë në 5 javë. Barazimi me kampionët duhet t’i bëjë me krahë birmingamasit. “Njerëzit mendojnë se ne do ta kemi të lehtë, – tha Guardiola, – por, unë kam 7 vjet këtu dhe e di se çdo ndeshje do të jetë e vështirë. Do të ndodhin shumë gjëra deri në fund”.
Sfidanti.al