Si mund të mburret Interi kur sërish portieri ishte më i miri në fushë ndaj Torinos?!

Mediat bavareze u qanë se nëse nuk do të kishte qenë Onana mes shtyllave, Bajerni do të kishte shënuar më shumë se dy gola në “San Siro” në Champions. i njëjti stadium, por tashmë në ditë të shtunë dhe për Serinë A, por skenat ishin thuajse të njëjta. Edhe pse trajneri i Interit, Simone Inzagi, ndryshoi portierin, sërish Handanoviç u bë po aq përcaktues sa Onana. Pritjet e kapitenit (të cilit duket se po i bën mirë konkurrenca) ishin shpëtimtare ndaj Torinos, duke i dhënë kohë e mundësi zikaltërve të fitonin ndeshjen në 89’ falë Brozoviçit. Toro do të kishte merituar më shumë, duke luajtur më mirë e duke pasur më shumë raste, ndaj edhe tifozët interistë duhet të jenë tepër të shqetësuar me këtë që po ndodh. Interi ka vërtet 12 pikë, por po i fiton thjesht nga këmbëngulja dhe zemërimi, jo nga qartësia e ideve. “Një fitore e një skuadre të vërtetë, – tha Inzagi, – portierët do t’i alternoj siç bëj me lojtarët”. Tifozët të paktën u kënaqën nga disa lojtarë si Brozoviç, Handanoviç, Barela apo Lautaro Martinez.

Sfidanti.al