Ishte një lloj finaleje, një nga ato ndeshje që tregojnë sesi qendrojnë skuadrat përballë njëra-tjetrës dhe Miluoki duhej të fitonte në fushën e vet ndaj Bruklinit. E mbetur disi prapa dy vendeve të para, skuadra nga Veriperëndimi i SHBA-së kishte një provë të vështirë, të cilën më në fund arriti ta fitonte 117-114 falë një paraqitjeje të jashtëzakonshme të kapitenit. Janis Antetokumbo shënoi 49 pikë, kapi 8 topa në tabela, dha 4 asistë, vodhi 1 top e bllokoi 3 gjuajtje. Nuk është se nuk gaboi, por gjithsesi është mirë kur shënon 21 nga 36 gjuajtje nga loja, apo 4 nga 8 për tri pikë.
Antetokumbo fitoi duelin e madh me Kevin Durantin që shënoi 42 pikë, duke pasur edhe 10 topa në tabela, ndërsa Kajri Irving shtoi 20 pikë, 7 topa në tabela, 6 asistë e 2 vjedhje topi. Xhejms Harden nuk luajti as këtë herë. Për Miluokin, Midëlton realizoi 26 pikë e kapi 11 topa në tabela. “Fitorja ishte si skuadër, – tha Janis më pas, – nuk e kam problem që shënova 49 pikë, por sesi u morëm vesh me njëri-tjetrin”. Në Lindje kryeson Filadelfia me 42 fitore e 21 humbje, Bruklini ka 43 fitore e 22 humbje, ndërsa Miluoki është i treti me 40 fitore e 24 humbje.
Sfidanti.al