Shumaher në spitalin e Parisit, për mirë apo për keq?!

Legjenda më e madhe e automobilizmit pati një ndryshim në jetën e tij të përditshme, të paktën siç shkruajnë mediat franceze. Mikael Shumaher duhet të jetë shtruar në një spital të Parisit, për një trajtim që mbetet i panjohur, diçka që e njofton e përditshmja “Lë Parizien”. Kampioni i madh i Formula 1 duhet të jetë pranuar në spitalin Pompidu, në jugperëndim të Parisit, pikërisht të hënën në mbrëmje.

“Lë Parizien” shkruan se shtatë herë kampioni i botës do t’i nënshtrohet mjekimit me qeliza të quajtura “stem cell”, pra qeliza të padiferencuara që mund të krijojnë qeliza të tjera për të kuruar dëmtime të ndryshme të pjesëve apo organeve të trupit të njeriut. Dihet se, së fundmi, qeliza të tilla janë përdorur për rigjenerimin e kockave. Shumi do të trajtohet nga profesori Filip Menashe, ndërsa nuk dihet se çfarë rezultati do të japë mjekimi, as edhe përse po bëhet. Familja e Shumaherit, saktësisht gruaja e tij Korina, ka vendosur një izolim të plotë mediatik për gjendjen e ish-pilotit gjerman, që pësoi aksident me ski 5 vjet më parë.

Sfidanti.al