Joakim Lëv shpresoi që fati të ishte me të dhe t’i jepte një fitore për moral dhe shtysë përpara, veçse përmbysjet e mëdha nuk ndodhin lehtë as në futboll. Gjermania, ish-kampione e botës në 2014, luajti me një formacion shumë të ndryshuar në miqësoren ndaj Serbisë, të cilën arriti vetëm ta barazonte 1-1 në fushën e saj, në Volfsburg.
U desh goli me gjuajtjen e fortë të lojtarit të Bajernit (sërish nga bavarezët?) Leon Gorecka, që gjermanët të shpëtonin nga humbja në minutën e 69-të. Serbët kishin kaluar në epërsi që në minutën e 12-të, me anë të snajperit të sezonit në Bundesligë dhe Ligën e Europës, Luka Joviçit të Frankfurtit.
Formacioni i “Epokës së Re” të Lëvit ishte ky: Nojer, Klosterman, Zyle, Tah, Kimih, Gyndogan, Halstenberg, Brant, Haverc, Sane, Verner. Me ndryshime kaq radikale, ishte e qartë se përse Serbia luajti më mirë në pjesën e parë. Pas pushimit, lojtarët e rinj gjermanë e morën veten dhe merituan barazimin, ndërsa Timo Verner, Leroi Sane dhe Ilkai Gyndogan patën shanse për gol. Tashmë, vjen ndeshja eleminatore e Europianit në fushën e Holandës, një sfidë në letër shumë më e vështirë.
Sfidanti.al