Në përfundim të garës, ai që ende quhet piloti më i madh i të gjitha kohëve ishte tepër i tronditur dhe nuk kurseu asnjë fjalë. Valentino Rosi, që doli i pesti në Çmimin e Madh të Austrisë, e akuzoi për vrasje pilotin francez, Johan Zarko, që ishte shkaktari i një aksidenti që mund t’i kishte marrë jetën. “Zarko nuk është i ri në gjëra të tilla, – tha italiani, – shkoi dhe frenoi me dashje para Morbidelit për ta dëmtuar. Na mbrojti shenjti i motoçiklistëve, që motori nuk më goditi, pasi unë nuk mund të bëja dot asgjë”. Motorët fluturuan në ajër pas përplasjes dhe njëri prej tyre i kaloi Rosit pak centimetra pranë (mediat italiane thonë 1 cm). Rosi kërkon që drejtuesit e Botërorit të marrin masa nda pilotit francez që të mos ndodhin gjëra të tilla në të ardhmen. “Ishte rreziku më i madh që kam kaluar në karrierën time”, – përfundoi Valentino Rosi.
Sfidanti.al