Rikthimi emocionues i Ukrainës, vetëm një hap larg Botërorit!

Nëse Uellsi “do ta lejojë”, do ta ketë të prerë “biletën” për në Katar, në fazën finale të turneut të madh. Ukraina hodhi një hap të vendosur, të merituar dhe të shoqëruar me shumë emocione, duke fituar 3-1 në stadiumin “Hampden Park” të Gllazgout ndaj Skocisë vendase në gjysmëfinalen e plej ofit për Kupën e Botës. Andrij Jarmolenko, Roman Jaremçuk dhe Artem Dovbuk ishin autorët e golave për ekipin përfaqësues të vendit që është sulmuar nga ushtria ruse që nga 24 shkurti i këtij viti, ndërsa luftimet vazhdojnë të ashpra në Donbas, por edhe në zona të tjera. Në stadiumin skocez ndodhej një numër i madh tifozësh ukrainas, por edhe vendasit e përkrahën me nxehtësi ekipin kundërshtar. Kallëm Mekgregor shënoi golin e vetëm për “malësorët” skocezë që shkurtuan përkohësisht rezultatin në 1-2. Fati i Ukrainës do të vendoset të dielën në Kardif, pas ndeshjes finale të plej ofit ndaj Uellsit.

Sfidanti.al