Rey Manaj i përket asaj kategorie lojtarësh që vetëm për të gjetur një vend në botën e futbollit profesionist, është gati të bëjë gjithçka dhe këtë e tregon rrugëtimi i gjatë në shumë klube gjatë karrierës së tij. Për sulmuesin tashmë të rikthyer në Kombëtare, jeta si futbollist nuk ka qenë aspak e lehtë sepse ai ka ndryshuar skuadër pothuajse çdo sezon dhe kjo ka ndodhur gjatë 8 sezoneve të fundit. Djaloshi i lindur në Lushnje, pas ndërprerjes së kontratës në vitin 2023 me Ëatford, mbeti pa skuadër dhe shumë menduan se preku fundin por gjatë këtij sezoni me fanellën e Sivasspor, Manaj i ka habitur të gjithë duke treguar se vetëm me punë dhe përgjigjet e dhëna në fushë mund të arrish të bësh të pamundurën për të gjetur një vend në Kombëtaren që për të dukej pothuajse e humbur.
Pas transferimit në Anadoll, Rey ka gjetur hapësira të mëdha te skuadra turke dhe statistikat flasin të gjitha në favor të ish-sulmuesit të rritur në radhët e Interit. Mesatarisht ai ka luajtur nga 71 minuta në çdo ndeshje, një rekord që nuk e kishte regjistruar asnjëherë në karrierë ashtu si edhe golat, 15 në 25 ndeshje në kampionat dhe 4 të tjerë në 3 ndeshje të luajtura në Kupë për një total prej 19 rrjetash në 28 ndeshje. Tashmë ka ardhur koha që formën fantastike, Manaj ta vendose në dispozicion të Kombëtares Shqiptare dhe ndoshta në 15 qershor, do të jetë ai njeriu që mund të kalojë të gjitha pritshmëritë dhe të ngjitet mbi hierarkitë e krijuara nga emra me peshë si Cikalleshi, Asani, Uzuni, Daku apo Muja, Broja dhe Seferi.
sfidanti.al