Reali ndjen lodhjen, gati dorëzon titullin pas 0-0 me Betisin!

Nëse nuk shënon Karim Benzema, nuk e bën dot askush. Ky ishte refreni i gazetave të Madridit pasi Reali u ndal në “Alfredo Di Stefano” nga Betisi. Me përjashtim të një rasti të diskutueshëm për penallti dhe të një shtylle të goditur nga Rodrigo, të besuarit e trajnerit Zidan u ndalën nga një Betis i organizuar dhe që luajti mirë. Kjo do të thotë se madrilenët kanë tani 71 pikë në 33 ndeshje ndaj 73 të Atletikos që ka luajtur 32. Barcelona ka 3 pikë më pak se Reali (68), por ka dy ndeshje më pak, ndërsa Sevilja ka 67 pikë me një ndeshje më pak.

Reali po nis të ndjenjë pasojat e një sezoni tepër të ngarkuar në Champions dhe La Liga, dhe të ndikuar nga dëmtimet. Në lojë nuk ishin kapiteni Ramos, Toni Kros, Lukas Vaskez, ndërsa Hazar hyri në 15 minutat e fundit dhe Vinisius në 58’. Kurtua e shpëtoi ekipin vendas nga një gol i sigurt, ndërsa shanset për të mbrojtur titullin janë pakësuar. Trajneri Zidan nuk deshi të dorëzohej. “Ne gabuam, por nuk jemi dorëzuar, – tha ai, – ka ende shanse për titullin”.

Sfidanti.al