Në të përditshmet britanike dhe në portalet në internet u botua një dokument prej 92 faqesh i Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv me qendër në Lozanë të Zvicër, kur sqarohej se përse kjo gjykatë ia hoqi Mançester Sitit dënimin 2-vjeçar nga kupat europiane, të dhënë nga UEFA. Pasi lexon materialin, komenti që mund të bësh është se UEFA nuk e ka “kopsitur” mirë dosjen e Sitit për shkeljen e rregullave të Lojës së Ndershme Financiare (FFF). “Deili Meili” raporton se KAS-i shkruan se ose UEFA nuk i provoi mirë shkeljet e klubit anglez, ose ato ishin të tejkaluara nga koha, në bazë të rregullave të drejtësisë. Këtij opinioni “i mëshoi” edhe shefi ekzekutiv i Bajernit, Karl-Hajnc Rumenige, i cili deklaroi se “jemi të zhgënjyer me atë që ndodhi me Sitin, UEFA nuk e trajtoi drejt çështjen, dhe prej këtij fakti erdhi edhe vendimi në KAS”. Duket se mediat britanike dhe drejtuesi i Bajernit, po e krahasojnë UEFA-n me Komisionin e Etikës në Federatën Shqiptare të Futbollit, që “e kopsiti” kaq mirë dosjen për heqjen e titullit kampion të vitit 2016 ndaj Skënderbeut, saqë KAS nuk pati ç’të bënte tjetër përveçse ta nxirrte klubin korçar të pafajshëm.
Sfidanti.al