Trajnerët shumë rrallë janë aq të famshëm sa lojtarët që shkëlqejnë në fushë, ndonëse emra të mëdhenj si Helmut Shën, Mario Zagallo, Stefan Kovaç, Arrigo Saki apo Johan Krujf janë ndër ata që të gjithë i njohin. Trajnerët morën vlerësimin e merituar edhe nga FIFA, por ata që triumfuan nuk kishin si bëheshin më të ndryshëm.
Silvia Najd është Franc Bekenbaueri i femrave të futbollit gjerman. Si kapitene, si ndihmëstrajnere dhe si trajnere, ajo ka qenë aty në çdo fitore të kombëtares së Gjermanisë për vajzat. Si futbolliste fitoi tre kampionate europiane dhe doli në finalen e botërorit. Si ndihmëstrajnere doli kampione e botës dhe dy herë kampione e Europës, si trajnere sërish kampione e botës dhe tri herë kampione e Europës. Në Lojrat Olimpike si lojtare doli nënkampione, dhe si trajnere, e mbylli vjet si kampione. Ish-mesfushorja që doli 7 herë kampione e Gjermanisë dhe 6 herë fituese e kupës, u tërhoq përfundimisht nga futbolli në moshën 52-vjeçare pasi fitoi Olimpiadën në Brazil.
Klaudio Ranieri, në të kundërt, është një njeri tepër emocional dhe shumë i përgatitur, por që e ka pasur më të vështirë të bindë presidentët dhe të arrijë fitore të mëdha. Ai ngjiti Kaljarin nga Seria C1 deri në Serinë A për dy sezone, ngjiti në Serinë A Fiorentinën duke fituar edhe Kupën e Superkupën e Italisë, me Valencian fitoi Kupën e Mbretit dhe një Kupë Intertoto si dhe u kualifikua për në Champions, me Çelsin doli nënkampion i Anglisë dhe gjysmëfinalist i Ligës së Kampionëve, por suksesin më të madh e arriti pikërisht vjet, duke fituar titullin kampion në Angli me Leiçesterin. Për këtë, fitoi Çmimin si trajneri më i mirë i botës nga FIFA.