Porosi për ekipet në Antalia: Mos harroni se edhe qielli ka ..sy!

Ju kujtohet shprehja  e moçme, tepër ngacmuese për ata që kërkonin diçka që s’u jepej: “ Hip këtu dhe shiko Stambollin!”. Nëse, në ditët e sotme, do të na e plotësonin dëshirën dhe të hipnim në majë të Stambollit,  me dylbi apo me dron, sipas modës së kohës, do të gjenim 6 ekipe shqiptare në Antalia.  “Parajsa dimërore” është quajtur nga ekipet më popullore të futbollit në Europë, që, ndofta, edhe pse u shtrëngohet më shumë laku financiar, askush nuk bëhet pishman, ngaqë kushtet dhe çmimet turke  mbeten një joshje dimërore që s’ ndërrohen me askënd.  Antalia në ditët e janarit shndërrohet në një kryeqytet, edhe mund ta quash “Stambolli i futbollit”, për shkak të dyndjes spektakolare të ekipeve nga e gjithë bota. Sa thuhet se në Antalia, ndërsa në verë lexohet kudo “Turisti është mbret”, në dimër shikon tabelën e ndryshuar : “ Futbollisti është mbret”.

6 ekipe të Superligës  shqiptare,  kanë vënë kurorën e “mbretit” në këto ditë fatlume, ku klima, stërvitja, ushqimi dhe ndeshjet miqësore  të programuara të marrin mëndjen aq shumë mëndjen, sa ka futbollistë që i vjen për të qarë kur vjen dita e fundit. Po këtë herë ka edhe diçka speciale, e cila lidhet me shëndetin e lojës,  nderkohë që ekipet tona po luajnë ndeshjet miqësore:  nuk mund të luash me cilin ekip ta do shpirti apo interesi si më parë, sepse miqësoret kanë kaluar në një filtër për të  filluar “pastrimin e gjakut’ të ndeshjeve.  Pasi kemi marrë dënimin për ndeshje të trukuara, pa dallim klime, në verë apo në dimër, FSHF ka  frikë nga droni që ka dërguar UEFA në Antalia dhe është e detyruar të pyese për çdo natë: “ Si po kaloni?  Mos harroni se edhe qielli ka ..sy!”

Gëzim Sinemati