Racizmi në futboll? Dëgjoni historinë e portierit Onana për të kuptuar!

Shumë vjet më parë, një vajzë italiane që vinte në Shqipëri tregonte një histori për disa tifozë ekstremistë të Helas Veronës. Vajza veroneze, tepër e thjeshtë dhe shoqërore, fliste me dhimbje sesi tifozët e ekipit të saj të zemrës ofendonin një lojtar me ngjyrë, edhe pse ishte në skuadrën e tyre. “Po pse e shani, – thoshte vajza, – ai është lojtari ynë?” “Po, ç’të bëjmë ne që ai është zezak”, – ishte përgjigja.

Kjo bisedë më kujtohet sot kur gazetat botojnë historinë e portierit të Ajaksit, Onana, i cili paska provuar racizmin deri në ekstrem pak vjet më parë. “Ishte sezoni im i parë tek Ajaksi, – u shpreh Onana, – arritëm deri në finalen e Ligës së Europës (humbje ndaj Mançester Junajtidit të Murinjos). Më pas, një klub u interesua, por pastaj u tërhoq. Më thanë se nuk kishin besim tek portierët zezakë, dhe se do të viheshin në pozitë të vështirë me tifozët e tyre”. Ky është vërtet racizëm i pastër. Për fat, Ajaksi ka histori më të gjatë me portierët zezakë, pasi ka pasur Stenli Menzon, që mbrojti kuadratin në skuadrën e Luis Van Galit që fitoi Kupën UEFA në 1992.

Sfidanti.al