Lajpcigu shfryn ndaj Halandit, por duket pak si “dhelpra dhe rrushtë”!

Edhe klubi nga ish-Gjermania Lindore e kishte si objektiv, ndonëse sot bën edhe sikur nuk këmbënguli shumë. Lajpcigu shfryu jo pak ndaj vendimit të Erling Halandit për t’u bashkuar me Dortmundin, e për të refuzuar ardhjen në Saksoni, por po ashtu pati disa fjalë dhe për klubin e Ruhrit. “Ne kemi konkurrencë të fortë në sulm, – u shpreh drejtori sportiv i Lajpcigut, Markush Krëshe, – ne kemi Timon (Vernerin), Jusin (Poulsen), Kunjën dhe Patrikun (Shikun). Halandi do të duhej të konkurronte me ta për një vend në formacion, ndërsa ka skuadra të tjera ku është më e lehtë të luash”.

Gjithsesi, Krëshe, u detyrua të pranonte se klubi i tij pati edhe disa vështirësi “objektive” për ta marrë norvegjezin, i cili i kushtoi Dortmundit 20 milionë euro, por nuk dihet se çfarë pjese do të ketë marrë agjenti i tij, Mino Raiola. “Ka edhe gjëra të tjera përveç shumë që paguhet për kartonin, – tha ai, – është rroga, pagesa të tjera, pagesa për këshilltarin dhe detyrime të tjera. Në çdo rast, ka raste kur për lojtarë të caktuar konkurrojnë klube të mëdhenj të Europës, dhe ne nuk mund të bëjmë dot gjithçka”. Krëshe shton se “ne bëmë gjithçka për ta bindur lojtarin, por ne kemi gjithashtu disa kufij në buxhet dhe në shpenzime”.

Sfidanti.al