Prezantohen Nedim Bajrami dhe Anis Mehmeti, marrin “gradim” në karrierë!

Do të nisin aventurat e reja, dhe tashmë e ardhmja e tyre është e përcaktuar. Nedim Bajrami dhe Anis Mehmeti janë prezantuar në skuadrat e tyre të reja, përkatësisht në Itali dhe në Angli. Mesfushori i kombëtares, që u largua nga Empoli pas dy sezonesh e gjysmë shumë të mira, tashmë është pjesë e Sasuolos. Ai doli në foto me fanelën e re, të një skuadre më të fortë sesa ajo ku ishte më parë. Pasi u dallua me Empolin duke shënuar shumë gola e duke shërbyer mjaft asistë, Bajrami 23-vjeçar do të përpiqet të fitojë sfidën e re.

Ndërkaq, u bë edhe prezantimi i Anis Mehmetit tek Bristol Siti në Angli. Mesfushori ofensiv, që ka qenë pjesë e Shqipërisë U19 dhe U21, do të vazhdojë karrierën në kategorinë e dytë në Angli, pasi u largua nga Uajkombi i kategorisë së tretë. Ai foli për përshtypjet dhe për planet e të ardhmes. “Është shumë pozitive që jam këtu, – tha ai, – Ju e dini që po flasim për një klub të rëndësishëm. Përshtypjet e mia nga trajneri dhe shokët janë shumë të mira. Me trajnerin kam folur para dy ditësh për planet dhe për të ardhmen. E di se çfarë pritet prej meje. Kam luajtur edhe më parë në këtë kampionat dhe e di se çfarë është ky nivel. Jam gati”.  Mehmeti shënoi 9 gola dhe shërbeu 3 asistë për Uajkombin në ligën e tretë angleze, dhe shpresohet të ketë minutazhin e duhur tek Bristol Siti ku sfida është më e vështirë dhe niveli më i lartë.

Sfidanti.al