Dani Alvesh nga burgu: Nuk më tremb gjë, do të kalojë edhe kjo!

Nga Kupa e Botës, te një ndeshje me shokët e burgut. Jeta e Dani Alves ka ndryshuar krejtësisht, pas arrestimit në Spanjë me akuzën se ka sulmuar seksualisht një 23-vjeçare në një klub nate në fund të dhjetorit të shkuar. Në pritje të gjyqit, ylli brazilian ndodhet në një prej burgjeve të Barcelonës. Sipas të përditëshmes iberike “La Vanguardia”, futbollisti 39-vjeçar ka marrë pjesë në një ndeshje mes të dënuarve të tjerë. Po ashtu, me anë të avokatëve të tij, ai i ka kthyer përgjigje disa pyetjeve të kësaj gazete. “Do të pranoj gjithçka që do të nodhë. Jam larguar nga shtëpia në moshën 15-vjeçare. Kam kaluar situata më të vështira dhe më të komplikuara. Edhe kjo do të kalojë. Nuk ka asgjë që më frikëson në jetë”, janë fjalët e Dani Alvesh, të cilat janë përcjellë në faqet e të përditëshmes spanjolle. Kjo e fundit bën të ditur se avokatët kanë apeluar vendimin, duke kërkuar lirimin e futbollistit brazilian derisa të zhvillohet gjyqi. Ata pretendojnë se klienti i tyre është i pafajshëm, por provat e publikuara nga mediat iberike “gozhdojnë” Dani Alvesh. Vajza që ka bërë denoncimin përshkruan me detaje disa tatuazhe në vende intime të Dani Alvesh. Vetë ai ka dhënë dëshmi kontradiktore,  teksa hetuesit kanë në dorë edhe një video që rëndon pozicionin e lojtarit që ishte pjesë e kombëtares së Brazilit në Botërorin 2022.

Sfidanti.al