Inzagi lavdërohet nga mediat: Fitore e merituar, por tani të mendojmë për Milanin!

Kur vjen puna për ndeshje të tilla, thuajse nuk di të gabojë. Interi arriti një tjetër sukses në sfida me eliminim direkt, duke u kualifikuar për në gjysmëfinalen e Kupës së Italisë. Fitorja minimale 1-0 u arrit ndaj Atalantës, dhe në fushë si titullar ishte qendërmbrojtësi i kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti, edhe pse doli i humbur në fund. Për shqiptarin e Kosovës kanë kaluar kohët kur ulej në stol sepse tashmë është e sigurt se do të qendrojë tek bergamaskët. Interi i trajnerit Simone Inzagi e arriti triumfin me golin e shënuar nga Mateo Darmian pas pushimit, ndërsa kjo ndodh vetëm pak ditë pas fitores së Superkupës së Italisë ndaj Milanit. Në radhët e zikaltërve u aktivizua mesfushori i kombëtares, Kristjan Asllani, por vetëm që nga minuta e 72-të. Inzagi u shpreh i lumtur me kualifikimin, i cili u arrit ndaj një skuadre që nuk humbiste prej 13 nëntorit të vitit të kaluar.

“Ne e dimë se çfarë na pret të dielën, – tha ai, – Ne kishim këtë ndeshje për të luajtur dhe e luajtëm në mënyrën më të mirë të mundshme. Tani duhet të tregohemi të zotët. Të pushojmë siç duhet, dhe të motivohemi siç duhet për të luajtur derbin e së dielës në mënyrën më të mirë të mundshme”. Në të vërtetë, sfida e radhës është tepër e fortë pasi luhet ndaj Milanit. Edhe pse Interi i mundi kuqezinjtë 3-0 në finalen e Superkupës së Italisë, nuk duhet harruar se e humbi ndeshjen e kampionatit dhe se Milani është kampion në fuqi i Italisë.

Sfidanti.al