Nuk dihet nëse do të ndodhë përsëri kështu. Milani papritur u kujtua se është emër i madh dhe se është kampion në fuqi i Italisë kur fitoi 4-0 në fushën e Napolit favorit, kryesues bindës i Serisë A. Kanë kaluar fare pak ditë dhe ja ku dy skuadrat do të luajnë sonte në orën 21:00 në stadiumin “San Siro”, një derbi italian që kishte kohë që nuk ndodhe në Champions.
Kuqezinjtë këtë herë janë në shtëpi dhe jepen të favorizuar, edhe pse gjatë gjithë sezonit kanë qenë nën hijen e napolitanëve. Trajneri Pioli ndihet më në fund i qetë, ndërsa shumica e lojtarëve është në dispozicion. Në dyshim Kalulu, mungon Ibrahimoviç, ndërsa problemi kryesor i Milanit është mungesa e thellësisë në ekip. A do të jetë kjo ndeshje e ekuilibruar?
“Mendoj se por, por besoj se kjo është diçka krejt tjetër. Fillon një sfidë që zgjat 180 minuta. Ajo që ndodhi në kampionat na dha një ide, por është e pamundur të përsëriten këto ndeshje. Dimë vetëm se duhet të luajmë një ndeshje të madhe për të qenë në lartësinë e një kundërshtari kaq të fortë”.
Napoli ndodhet në pozitat e kundërta me Milanin. Të Kaltërve ui janë dëmtuar lojtarë të rëndësishëm pikërisht në momentin që nuk duhej. Sulmuesi kryesor Viktor Osimhen nuk luan, po ashtu si sulmuesi tjetër Simeone, ndërsa Raspadori është në dyshim. Trajneri Luçiano Spaleti kërkon që ekipi të tregojë krenari, por së pari flet për Guardiolën. “Duket se fjalët që kam thënë për të, nuk janë kuptuar siç duhet. Gjithsesi, kur flitet për Guardiolën unë ngrihem edhe në këmbë. Kjo sepse unë kam mësuar shumë gjëra nga Guardiola. Ai mund të jetë një nga personazhet e mëdhenj të të gjitha fushave. Përsa i përket ndeshjes ndaj Milanit, do të jetë e fortë. E kemi treguar veten në Champions, por duhet të kemi forcën dhe krenarinë e deritanishme”.
Sfidanti.al