Prag Kroaci-Spanjë, Modriç apo “Furitë e Kuqe” fitojnë Ligën e Kombeve?!

Tifozët janë në një gjendje shpirtërore që nuk mund të përshkruhet. Përkrahësit e Kroacisë ndodhen me dhjetëra mijë në Roterdam, dhe pritet që gati 25 000 prej tyre ta kenë një biletë për finalen e Ligës së Kombeve, që luhet sot në orën 20:45 në stadiumin “De Kaip”, mes kroatëve dhe Spanjës Skuadra ballkanase, e treta në rruzull në Botërorin e kaluar në Katar, arriti një tjetër sukses duke u kualifikuar në finale pas fitores 4-2 ndaj Holandës vendase, në një fitore që sërish nuk e quan dot të papritur. Luka Modriç udhëhoqi ata që cilësohen “Të Zjarrtët”, ndërsa në fushë janë yjet e tjerë si Brozoviç, Petkoviç apo Perishiç. Edhe pse mungon mbrojtësi më i mirë, Gvardiol, sërish trajneri Zlatko Daliç nuk ka probleme të shumta, ndërsa ai thotë se ekipi është 100 për qind i motivuar.

“Momenti është i madh, ne luajmë për medaljen e artë, – thotë Daliç, – Nuk mund të ketë motiv më të madh për ne sesa fitorja e finales. Kjo, për veten tonë dhe për tifozët. Për ne nuk kishte rëndësi se cili do të ishte rivali në finale. Spanja është një skuadër e madhe, por kryesorja është sesi do të luajmë dhe se sa do të jemi gati”.

Spanja po ashtu është kandidate e fortë për titullin. “Furitë e Kuqe” kaluan bindshëm Italinë në gjysmëfinale, e ndonëse nuk i kanë emrat e dikurshëm, mbeten tepër të fortë. Me lojtarë si Gavi, Rodri, Pino, Morata, Laporte apo edhe veterani Zhordi Alba, ish-kampionët e botës dhe të Europës bindën plotësisht. Trajneri Luis de la Fuente do të ketë mjaft mungesa, që nga Pedri, Buskets i larguar, pastaj Bernat, David Garsia apo Niko Uilliams. Gjithsesi, iberikët kanë udhëtuar drejt Roterdamit me synimin e vetëm fitoren e titullit.

“Në thelb është një përballje e barabartë, – shprehet ai, – Ne dhe Kroacia kemi mënyrë të ndryshme loje, kemi pluset dhe minuset tona, por finalja është e barabartë mes dy ekipesh shumë të fortë. Ne kemi arritur deri këtu sepse kemi treguar që në këtë moment jemi dy kombëtaret më të mira të Europës”. Spanja është për herë të dytë në finalen e Ligës së Kombeve, pasi herën e kaluar u mund 2-1 nga Franca, ndërsa Kroacia e ka për herë të parë.

Sfidanti.al