Prag Dortmund-Paris SG, Nejmar e Mbape duan të dalin gjallë nga “Muri i Verdhë”!

Nuk ishte kjo mënyra më e mirë për t’u përgatitur. Paris SG vërtet e ka në xhep titullin në Francë, por barazimi 4-4 në fushën e Amienit, ekipit të parafundit në renditje, tregoi qartë se çfarë krize po kalon skuadra e sheikëve. Një ogur aspak i mirë në prag të duelit vendimtar të sezonit, atij ndaj Dortmundit në turin e dytë të Championsit.

Një tronditje që pasoi sherrin verbal publik mes trajnerit Tomas Tuhel dhe yllin të sulmit, Kilian Mbape, vetëm pak ditë më pas, pas një zëvendësimi në një ndeshje të Ligës së Parë. Nuk dihet nëse rikthimi i Nejmarit nga dëmtimi, dhe gatishmëria e tij për të luajtur në Gjermani, mund të jetë një lajm mjaftueshëm i mirë për të nxitur skuadrën në një duel shumë të vështirë.

Pronarët e klubit kërkojnë kualifikim të paktën deri në finale, dhe PSG jepet si favorit për fitoren. Nejmar është i disponueshëm, por ndoshta jo për 90 minuta, ndërsa mungesat e tjera janë fare të pakta, me Mbapenë, Verratin, Di Marinë, Ikardin e Kavanin, të gatshëm.

“Do të luajmë ndeshjen kryesore të sezonit deri tani, – tha Tuheli, – dhe jam i bindur se do të japim maksimumin. Kisha besim tek Nejmari, dhe do ta kemi në ekip, gjë që ndryshon shumë gjëra për mirë. Emocioni është i madh sepse do të jem përballë ish-ekipit tim, por detyra ime është të bëj maksimumin për të fituar. Jam i bindur se mund t’ia dalim, por duhet të jemi të përqëndruar”.

E vërtetë që, Tuheli dhe parizienët e tij duhet të mos bëjnë asnjë gabim. Përballë tyre do të jetë një nga sulmuesit më të mirë të Europës, Erling Haland, që po shënon gola radhazi, që pas kalimit tek Dortmundi në janar. Gjithsesi, edhe gjermanët do të kenë mungesa, pasi kapiteni Rojs është i dëmtuar, dhe talenti Julian Brant vështirë se luan. Po ashtu, mosha e re mund të prishë punë për Dortmundin, që sidoqoftë shpreson tek mbështetja e tifozëve në “Signal Iduna Park”.

“Nuk do t’ia lejoj vetes të mendoj vetëm për Nejmarin apo Mbapenë, – u shpreh trajneri Favre, – unë mund të numëroj edhe 10 lojtarë të tjerë. PSG fitoi ndaj Realit pa Nejmarin. Ne duam fitoren, duam një ndeshje të bukur, por edhe të jemi të kujdesshëm. Mjafton edhe të fitojmë 1-0”. Dy ekipet janë ndeshur 10 vjet më parë në fazën e grupeve në Ligën e Europës, dhe të dyja ndeshjet përfunduan në barazim, 1-1 në Gjermani dhe 0-0 në kryeqytetin e Francës.

Sfidanti.al