Ky moment vlen më shumë se gjithçka tjetër. Pamja e një Lionel Mesi, që hapur shpërfill krahun e djathtë të trajnerit Kike Setien, ka bërë shumë xhiro të botës, dhe po torturon tifozët e Barcelonës në prag të duelit të vështirë ndaj Atletikos së Madridit. Vërtet luhet në “Kamp Nou”, por dueli i La Ligës do të jetë sërish pa tifozë, dhe me katalanasit që thuhet se janë maksimalisht të përçarë.
Dy pikët e humbura në fushën e Seltës së Vigos duket se e kanë rënduar situatën, kanë prekur moralin dhe kanë ndikuar për keq në harmoninë e skuadrës. Sot luhet në orën 22:00, me Barçën dy pikë prapa Realit, dhe që nuk mund të bëjë asnjë gabim në 6 ndeshjet e mbetura. Trajneri Kike Setien pranon se ka pasur përballje sy më sy me lojtarët.
“Ndodh që thikat mprihen kur gjërat nuk shkojnë mirë, kur të ikën nga dora fitorja me një goditje dënimi si ajo ndaj Seltës. Ky është cirku në të cilin ne jemi të përfshirë. Gjithsesi, ne jemi të shqetësuar më shumë për gjëra më të rëndësishme, ne duam që të luajmë më mirë, me lojtarët flasim më shumë për këto gjëra. Nuk kam probleme me lojtarët apo me Mesin, kam raporte të mira. Sa për Atletikon, është një ndeshje e vështirë, ndaj një kundërshtari shumë konkurrues, një ekipi të madh. Shumë i fortë në mbrojtje, i rrezikshëm në kundërsulm”.
Atletiko është, pas Realit, rivali më i rrezikshëm për momentin. Kryeqytetasit eleminuan Liverpulin, kampion të Europës, nga Championsi, dhe janë në formë të madhe në La Liga. Ishte pikërisht Atletiko që solli shkarkimin e ish-trajnerit Valverde, dhe tani mund të dënojë edhe Setienin. Trajneri i bardhekuqve, Simeone, pyetet se çfarë mendon për gjendjen tek Barça.
“Ju më njihni shumë mirë, dhe e dini që unë nuk jam mendim për gjërat që ndodhin në ekipet e tjerë, – tha ai, – Unë flas vetëm për punët tona, dua që skuadra të jetë mirë, që lojtarët të jenë të kënaqur. Kjo është kryesorja. Ne duam të luajmë ndeshjen si një finale, pasi duam të jemi në zonën Champions, dhe të arrijmë sa më lart që të mundemi”.
Barçka nuk do të ketë De Jongun dhe Dembelenë të dëmtuar, por Buskets kthehet nga pezullimi. Tek Atletiko mungojnë Hermoso e Vrsaljko të dëmtuar, si dhe Saviç e Koke të pezulluar.
Sfidanti.al