Në foto, heronjtë janë të ndryshuar nga koha. Lotar Mateus ende djaloshar, Andreas Brehme më i “fryrë” për shkak të ndikimit të viteve, por sidomos një bukuri e rrallë si Franc Bekenbauer, tepër i plakur jo vetëm nga mosha, sesa nga problemet e shëndetit, dhe akuzat e gjyqet për organizimin e Botërorit 2006. Kjo foto është një simbolizim i Gjermanisë së vitit 1990, kur u shpall kampione e botës natën e 8 korrikut në stadiumin “Olimpik” të Romës, ndërsa mijëra tifozë shqiptarë brohorisnin në oborrin e Ambasadës Gjermane në Tiranë, e shumë më tepër hidheshin përpjetë e ngjirreshin nëpër shtëpi, rrugë e rrugica të Tiranës, Shkodrës e gjithë Shqipërisë.
Ishte skuadra e drejtuar në stol nga “Kaizer Franci”, e udhëhequr në fushë nga kapiteni Lotar Mateus dhe e vulosur si kampione e botës nga penalltia në finalen me Argjentinën, fituar nga aksioni Mateus-Fëler, dhe kthyer në gol nga ekzekutimi i përsosur i Andreas Brehmes. Bekenbauer është sot 74 vjeç, jo shumë i vjetër për t’u plakur kaq shumë, ndërsa Mateus e Brehme nga 59. Koha kalon, legjendat plaken, por kujtimi i Botërorit 1990, dhe i këngës së Xhana Naninit mbetet gjithnjë i ri.
Sfidanti.al