Përse Bajerni fluturoi për Berlin, nga aeroporti ushtarak në Ingolshtat?!

Rëndom ata kishin të rezervuar kalimin nëpër zonën e personaliteteve (VIP) në Aeroportin e Mynihut, por këtë herë ishte ndryshe. Duhet të ketë pasur arsye të fortë Bajerni që vendosi të shkonte deri tek Aeroporti Ushtarak në Ingolshtat për të kryer udhëtimin drejt Berlinit, për ndeshjen e sotme ndaj Unionit vendas. Nuk ka sqarime nga klubi bavarez, por besohet se drejtuesit deshën të krijonin kushtet maksimale të sigurisë për lojtarët e të tjerët, duke iu druajtur ndonjë reagimi të tifozëve për rifillimin e Bundesligës pa ata.

Dy autobusët e klubit u lejuan të shkonin deri në pistë, pranë aeroplanit të madh të transportit, me helika, që e dërgoi delegacionin bavarez “si kokrrën e mollës” në kryeqytetin e Gjermanisë. Të gjithë ishin me maska, ashtu si edhe ekuipazhi, ndërsa pasagjeri më i rëndësishëm ishte Robert Levandovski, që humbi gjithsej vetëm 3 ndeshje zyrtare pas dëmtimit në kavilje. “Jam më mirë se kurrë”, – është shprehur sulmuesi polak, shënuesi më i mirë i Bundesligës me 25 gola. Gjithsesi, ai duhet të ruhet sepse mund të marrë kartonin e 5-të të verdhë, e të pezullohet për ndeshjen tjetër. Trajneri Flik nuk ka disa nga yjet, si Havi Martinezin, Filip Kutinjon, Kingsli Komanin dhe Ivan Perishiçit.

Sfidanti.al