Përforcimet e Bajernit? Flik kundërshton Rumenigen vetëm në diçka!

Në konferencën për shtyp përpara ndeshjes ndaj Gladbahut nuk mund të mungonte pyetja për planet e bavarezëve tani në janar. Pra, do të ketë përforcime te kampionët e Europës apo jo? Hansi Flik, si një gjerman i vërtetë, përgjigjet shumë qetë dhe shumë ftohtë. “Situata që kanë të gjithë klubet në botë, sidomos me koronën, nuk është e lehtë, – tha ai, – kjo është arsyeja që unë nuk kam asnjë dëshirë të shkoj tek drejtuesit dhe t’u them se më duhen lojtarë. Përkundrazi. Ne do të kemi deri në fund të sezonit këtë skuadër që kemi tani”.

Gjithsesi, ai thekson diçka në të cilën është në kundërshtim me shefin ekzekutiv, Rumenige. Ky i fundit ishte shprehur se humbjet financiare mund ta detyrojnë klubin të transferojë lojtarë në dalje dhe mediat përmendin Havi Martinezin e Zirkzenë. “Mendoj se ne do t’i kemi dy lojtarët në 6 muajt e ardhshëm”, – tha Fliku. Trajneri mendon se Bajerni ka cilësi shumë të mira në skuadër, dhe thekson se yjet e dinë se mund të përmirësohen.

Sfidanti.al