Të luash apo të mos luash. Lionel Mesi, sidomos, është vënë në një shqetësim të madh në prag të miqësores së radhës të Argjentinës. Do të luhet në Izrael, por me një ndryshim program, pasi takimi i parashikuar për në Haifa, u zhvendos nga autoritetet izraelite për në Jeruzalem. Efekti ishte i menjëhershëm dhe nga palestinezët pati protesta. Kjo për shkak të konfliktit të rindezur së fundmi për Jeruzalemin, me zhvendosjen aty të ambasadës së SHBA-së nga ana e presidentit Tramp.
Federata Palestineze e Futbollit, me gojën e vetë shefit të saj, Xhibril Raxhub, i kërkoi Mesit që të mos luante në këtë ndeshje të politizuar, siç e quajti ai. Raxhubi i shkroi fillimisht shefit të Federatës së Argjentinës, Klaudio Tapisë, duke e informuar për mendimet e palestinezëve.
“Nëse Mesi luan në këtë ndeshje, atëherë do të ketë një fushatë kundër tij, do të digjen fanela dhe fotografi të tij, – u shpreh Raxhubi, – Mesi nuk duhet të harrojë se ka me miliona tifozë në botën arabe. Ai është një simbol i madh prandaj po përqëndrohemi tek ai, por shpresojmë ende që ai të mos luajë”.
Ndeshja Izrael-Argjentinë është parashikuar për të shtunën në stadiumin “Tedi Kolek” të Jeruzalemit Perëndimor, besohet për të kremtuar 70-vjetorin e themelimit të shtetit izraelit.
Sfidanti.al