Kërri bën Lebronin, Golden Stejt dyfishon epërsinë në Finale

Lebron Xhejms ishte si gjithnjë brilant, edhe pse jo mbinjerëzor, veçse këtë herë e gjeti dikë që të matej denjësisht me të. Stefën Kërri nuk lejoi që Golden Stejti të vuante aq shumë sa në ndeshjen e parë, duke e ngjitur në epërsinë 2-0 në Finalen e Madhe të NBA-së ndaj Klivlendit. Shifrat 122-103 ndoshta janë pak si të tepruara, dhe u sendërtuan vetëm në periodën e katërt, veçse këtë herë u mor vesh kush ishte “zot shtëpie”.

Kërri shënoi 33 pikë, duke thyer edhe rekordin e tripikëshave në një ndeshje të tillë, me 9 të realizuara. Ai ishte i papërmbajtshëm, duke goditur nga çdo largësi prej koshit, pavarësisht sesa afër ishin mbrojtësit kundërshtarë. Në 37 minuta që ishte në fushë, ai pati edhe 7 topa në tabela, 8 asistë dhe 1 vjedhje topi.

Golden Stejti pati gjithë “makinerinë” në formën më të mirë, duke qenë tepër e saktë në gjuajtje (57 për qind). Kevin Durant realizoi 26 pikë në 38 minuta, kapi 9 topa në tabela e dha 7 asistë, si dhe bllokoi 2 gjuajtje, ndërsa kapiteni Klej Tompson as nuk pyeti për dëmtimin në kavilje, duke realizuar 20 pikë në 33 minuta. Së fundi, Drejmond Grin pati 5 pikë, 8 topa në tabela e 7 asistë. Kampionët në fuqi habitën me saktësinë e qendrës së tyre, Mekgi (12 pikë, 6-6 në gjuajtje) dhe të rezervës Livingston (5-5 në gjuajtje).

Klivlendi nuk pati përgjigje për këtë, edhe pse Lebroni shënoi 29 pikë, kapi 9 topa në tabela dhe shërbeu 13 asistë, duke vjedhur edhe dy topa. Ai ishte në fushë për 44 minuta, më shumë se kushdo tjetër, duke u sakrifikuar deri në fund për skuadrën. Gjithsesi, fundi ndoshta është i sigurt, edhe pse dy ndeshjet e radhës do të luhen në Klivlend. Golden Stejti është tepër i fortë për t’u mundur, edhe pse në 2016, Kavaliersët ia dolën me përmbysje. Problemi është se, atëherë, Uorriorsët nuk kishin Kevin Durantin.

Sfidanti.al