Nusreti kënaqet nga vëmendja ndërsa “kriposi” Kupën e Botës dhe shqetësoi Mesin!

Është një nga ata njerëz që thuhet se janë bërë vetë. i ardhur nga varfëria, e i transformuar në një njeri të pasur dhe ndër më të famshmit në botë, turku Nusret Gëkçe, i njohur me emrin e vetëvendosur Solt Bej (Salt Bae), ka detyruar kaq shumë njerëz të flasin për të. Natyrshëm, në një sistem ku fama i sjell treg e njohje jo vetëm të zotit të punës, por edhe bizneseve, mediave dhe aktorëve që dominojnë rrjetet sociale. Rasti erdhi pasi Gëkçe, apo Solt Bej, u pikas në ceremoninë e dorëzimit të Kupës së Botës në stadiumin “Lusail”, duke duke prekur e puthur kupën. Po flasim për një shef kuzhine që cilësohet si më i njohuri në botë.

Përtej përpjekjes për të shtuar pëlqimet dhe shikimet, mediat tradicionale apo ato në Tuiter e Instagram, patën një argument të fortë. Çfarë pune kishte ky njeri, sado i famshëm, që të hynte në fushën e ceremonisë. Ai ishte i ftuar i dikujt, a ishte brenda rregullave? Vetë Solt Bej nuk duket se shqetësohet për këtë, por duket se shqetësoi Mesin me ngulmimin për foto të përbashkët. Në rrjetet sociale botuan një video të shefit të kuzhinës me presidentin e FIFA-s, Xhani Infantino, duke theksuar: Ja përse Solt Bej u lejua në stadiumin “Lusail”.

Personazhi nga Turqia, i përshtatur më së miri me parimet e sistemit ku jetojmë, ka qenë gjithmonë tepër i aftë për të tërhequr vëmendjen, ndërsa në rrjetin e tij të restoranteve në gjithë botën, kanë darkuar të famshëm si Maradona e Riberi, apo yje të skenës e të artit. Nusreti ka krijuar polemika në Perëndim për imitimin e Fidel Kastros në një foto të famshme të vendosur në restorant, apo me ftesën për Maduron e Venezuelës, ndërsa në Lindje polemikat kanë qenë për skenat e tij me yjet e ekranit, apo edhe për çmimet e kripura, edhe më të kripura sesa mishi i përgatitur prej tij.

Polemikat gjithsesi nuk prishin punë nëse je mësuar me to. Pak kohë më parë, kryeministri shqiptar, Edi Rama, e përmendi shefin turk të kuzhinës kur lavdëroi një restorant në Korçë dhe pati diçiturën në Instagram: Varja Nusretit! Pavarësisht debateve, Solt Bej do të vazhdojë biznesin dhe jetën sipas stilit të tij, duke tërhequr vëmendjen, kuptohet jo të të gjithëve, por të atyre që duan të merren me të.

Sfidanti.al