Mrekullia e re e këtij sporti duket se po vjen sërish nga SHBA. Pasi theu dy rekorde në pishinë të shkurtër në Budapest, Kaleb Dresel u bë i pari notar në histori që zbret nën 48 sekonda kohën në garën e 100 metrave flutur. Pasardhësi i Majkëll Felpsit luftoi me ish-rekordmenin Shad Lë Klos dhe amerikanin tjetër Tom Shilds, duke arritur rezultatin 47”78. Rekordi i mëparshëm i Lë Klosit ishte 48”08 vendosur 4 vjet më parë. Dresel pritej që të shkëlqente në kryeqytetin e Hungarisë, në Finalen e Madhe të Ligës Ndërkombëtare të Notit. Në 16 nëntor ai theu rekordin në 100 metra stil të përzier, gjithashtu në pishinë të shkurtër (25 metra), duke u bërë i pari njeri që noton nën 50 sekonda. Koha e tij ishte 49”88. Sportisti 24-vjeçar vendosi një ditë më parë rekordin në pishinë të shkurtër në 50 metra stil i lirë, me kohën 20”16, ndonëse këto rezultate pritet ende që të zyrtarizohen nga Federata Botërore e Notit.
Sfidanti.al