Një komentator vazhdon të përçajë shqiptarët që “t’i hajë ujku”!

Kënaqësia për ekipin tënd mund të shprehet padyshim edhe çmendurisht pas një goli. Pavarësisht nëse dikush mund të pëlqejë një komentim me shkalafitje më të paktë të zërit, sërish është normale që një komentator televiziv të gëzohet në këtë mënyrë si Andin Lokaj kur shënon Kosova. Gjithsesi, të duash ekipin tënd dhe të urresh e të ofendosh ekipin kundërshtar, aq më tepër kur ai është shqiptar siç je ti, kjo padyshim është e tepërt. E ka bërë gjithsesi, komentatori nga Kosova, Andin Lokaj, pas fitores 2-1 të Kosovës U21 ndaj Shqipërisë U21 në eleminatoret e Europianit. Ai hodhi një koment në rrjetet sociale, duke deklaruar se kur kosovarët kanë luajtur futboll, shqiptarët në Shqipëri shihnin peshqit me dylbi dhe ishin në tribuna si ushtarë të Enver Hoxhës.

Reagimi kundër komentatorit erdhi i menjëhershëm nga tifogrupi “Plisat” e ekipit të Prishtinës, të cilët e shpallën Andin Lokajn të padëshirueshëm në qytetin e tyre, dhe madje paralajmëruan që ndaj tij të merren masa, ndryshe nuk mbajnë përgjegjësi se çfarë mund të ndodhë. Vlen të kujtohet se Lokaj ka shkuar më larg se kaq me fobinë ndaj gjysmës së kombit që jeton në kufijtë e shtetit të përcaktuar nga Konferenca e Londrës, duke arritur deri aty sa të mos e dojë. Komentet kanë qenë të shumtë edhe për këtë deklaratë, ndërsa gjithmonë shqiptarët e të dyja anëve të kufirit janë cilësuar vëllezër dhe njerëz të të njëjtit komb, ashtu siç e quajnë veten kroatët apo serbët, pavarësisht nëse janë brenda kufirit të shtetit apo në anën tjetër të tij.

Debatet për identitetin e shqiptarëve të Kosovës nuk kanë qenë aq të shumta, në radhë të parë sepse qytetarët në të dy shtetet e dinë fjalën e urtë popullore “po qe se përçahesh, të ha ujku”. Gjithsesi, ka pasur hera-herës polemika kur janë ndeshur ekipet përfaqësuese të të rriturve apo edhe ata Shpresa.

Sfidanti.al