Europa përcakton 10 finalistët e Botërorit, 12 ekipe në plej of për 3 vende!

Holanda ishte finalisti i fundit nga Europa. Faza e parë e eleminatoreve të Kupës së Botës në kontinentin e vjetër përfundoi dhe pas disa muajsh do të zhvillohet plej ofi. Në përfundim të ndeshjeve në grupe 10 ekipet e vendeve të para u kualifikuan për në Katar. Këto, sipas grupeve, janë Serbia, Spanja, Zvicra, Franca, Belgjika, Danimarka, Holanda, Kroacia, Anglia dhe Gjermania.

Holandezët mundën 2-0 Norvegjinë në një sfidë që ishte si një finale me gola të shënuar nga Bergvajn dhe Depai. Në plej of nga ky grup shkoi Turqia që fitoi 2-1 në Podgoricë ndaj Malit të Zi, pavarësisht golit të shënuar për vendasit nga Fatos Beqiraj. Turqit arritën në 21 pikë ndaj 23 të Holandës dhe 18 të Norvegjisë. Në grupin D, Franca fitoi 2-0 në Finlandë duke i eleminuar nordikët. Në plej of shkon Ukraina që fitoi po 2-0 në Sarajevë ndaj Bosnjë-Hercegovinës. Në grupin E, Belgjika e kishte arritur kualifimin, ndërsa vendin e dytë e zuri Uellsi.

Në plej of janë 10 vendet e dyta në grupe, dhe dy ekipe nga Liga e fundit e Kombeve, që në bazë të kombinimeve janë Austria e Çekia. Shorti do të hidhet në 26 nëntor, dhe ekipet do të ndahen në 3 grupe me nga 4 ekipe që do të luajnë gjysmëfinalet dhe finalet me nga një ndeshje. Gjysmëfinalet do të luhen në 24 mars të vitit të ardhshëm, dhe finalet në 29 të po atij muaji. Tre ekipet e kualifikuar do të shkojnë në Botëror.

Të kualifikuara

Serbia, Spanja, Zvicra, Franca, Belgjika, Danimarka, Holanda, Kroacia, Anglia, Gjermania.

Plej ofi

Vazo 1:  Portugalia, Skocia, Italia, Rusia, Suedia, Uellsi

Vazo 2: Turqia, Polonia, Maqedonia e Veriut, Ukraina, Austri, Çeki

Sfidanti.al