Mesi nuk frymëzon Argjentinën ndaj Brazilit, por kualifikimi është pranë!

Atmosfera ishte ajo e rasteve të mëdha. Një stadium plot dhe plot shkëlqim priti Superklasiken e Amerikës së Jugut me Argjentinës e Brazilit, por ndoshta nuk u kënaqën deri në fund. Edhe pse Lionel Mesi ishte në fushë që nga minuta e parë, vendasit nuk ishin aspak të frymëzuar dhe madje brazilianët u treguan më të rrezikshëm. Edhe pse nuk patën në ekip Nejmarin e dëmtuar, sërish pesë herë kampionët e botës u dukën më të qetë, dhe më të vendosur duke përballuar atmosferën armiqësore në stadiumin e San Huanit. “Selesao”, të kualifikuar që më parë në finalet e Botërit, e vunë disa herë në vështirësi portierin Martinez, madje goditën edhe traun e portës së tij.

Në të kundërt, Mesi pati pak ndikim dhe iu afrua golit vetëm në minutat e fundit. Ai nuk arriti të shënonte për të luftuar për Këpucën e Artë të eleminatoreve latinoamerikane, ku ka 6 rrjeta, një më pak se Nejmari, ndërsa në krye është Moreno i Bolivisë me 9 gola. “Ishte një ndeshje siç edhe pritej, një sfidë mjaft e vështirë, – tha Mesi, – nuk ishte e lehtë për mua pasi kisha disa kohë që nuk luaja, ndërsa ritmi ishte i lartë. Pavarësisht se nuk fituam, jemi më pranë Botërorit”. Argjentina vërtet është shumë pranë kualifikimit duke qenë në vend të dytë me 29 pikë, 12 pikë larg vendit të pestë, e duke pasur një ndeshje më shumë për të luajtur, por forma që ka treguar në përballjet e fundit nuk i ka entuzuazmuar tifozët.

Sfidanti.al