Edhe karrierën si lojtar e pati thuajse dhuratë. Karlo Ançeloti thuajse e la futbollin para kohe pas një dëmtimi në gju, por modernizimi i mjekësisë sportive dhe inteligjenca personale e ndihmuan edhe pse nuk mundej të vraponte shpejt. “Nuk ka rëndësi të vraposh shumë, por atëherë kur duhet”, – tha atëherë Ançeloti, që arriti kulmet si lojtar me Milanin duke fituar dy Kupa të Kampionëve, Championsin e sotëm, përveç trofeve të tjera si dy Superkupa të Europës, dy Kupa Interkontinentale, titullin në Itali e gjithçka tjetër. U bë ndihmës i Arrigo Sakit tek Italia kur la sportin, ndërsa suksesin si trajner e pati të vështirë. Gjithsesi, që nga shkarkimi prej Juventusit në 2001, gjithçka ndryshoi dhe Karlo Ançeloti e nisi me Championsin me Milanin kundër Juventusit në 2003, e po ashtu me kuqezinjtë në 2007 ndaj Liverpulit. Kjo e fundit, pasi kaloi tronditjen e dështimit po ndaj Liverpulit në finalen e Stambollit në 2005.
I quajtur me dashamirësi “Karleto”, e në Spanjë “Don Karlo”, italiani e ka emrin tepër të lidhur me Realin e Madridit. Në 2014 fitoi Championsin kundër Atletikos së Madridit, duke pasur në ekip Ronaldon, Bejlin e Benzemanë, si dhe Kasijasin e Ramosin. U desh të kalonin shumë kohë derisa u kthye sërish në “Santiago Bernabeu” dhe ja ku fitoi Ligën e Kampionëve sërish me ekipin madrilen. Katër trofe të tillë në stol do të thotë rekord për trajnerët, dhe 6 tituj gjithsej janë baraz me legjendën spanjolle Fransisko Gento. Gjithsesi, besohet se Ançeloti ka pasur edhe fat, përveç meritës sepse ka udhëhequr ekipe si Milani apo Reali. Krejt të ndryshme janë, për shembull, triumfet e një legjende të trajningut si Sër Aleks Ferguson, që dominoi në Skoci dhe në Europë me një ekip modest si Aberdini, shumë më i vogël sesa Sëlltiku e Rejnxhërsi, apo sesa Bajerni, Reali e Hamburgu.
Sfidanti.al