Nga rekordet tek Festa e Birrës, Usain Bolti “harbohet” në Mynih!

Sot nuk mund ta ndalojë kush, madje nuk ndalon plotësisht as vetveten që të gëzojë jetën. Usain Bolti nuk është më një atlet profesionist, më i miri i sprintit në epokën e vet, ndaj po jepet pas kënaqësive (besohet me masë). Rekordmeni botëror i 100 e 200 metrave u fotografua në Mynih, në Festën e Birrës, duke qenë në krah të doktorit të Bajernit, Hans Vilhelm Myler-Volfart. Mjeku i shquar është mik me xhamajkanin, ndërsa punoi me të gjatë karrierës së tij të shkëlqyer.

Kur ngriti gotën e birrës, Bolti bëri një urim dhe këtë e pati pikërisht për Myler-Volfartin, duke thënë se doktori e kishte ndihmuar të kapërcente problemet e shpinës dhe të muskulaturës së kofshës, që iu bënë kronike. Mjeku gjerman është i njohur për metodat e tij të veçanta për të trajtuar pacientët, dhe mesa duket ka pasur sukses. Prania e Usain Boltit në festën tradicionale bavareze, në krah të tij, e demonstron shumë qartë këtë.

Sfidanti.al