Turneu amerikan është e shkuara. Kështu është edhe një pjesë e rëndësishme e Barcelonës, ajo e quajtur Nejmar. Gjithsesi, katalanasit janë gati të rikthehen më të mirët në botë nën udhëheqjen e lojtarit më të madh të planetit, Lionel Mesit.
Ndërsa skuadra është tashmë në kompleksin sportiv në qytetin e saj, pritet që klubi ta përforcojë ndjeshëm me 222 milionë eurot e përfituara nga transferimi i Nejmarit. Ka shumë kampionë që po ndiqen, me mediat europiane që janë plot me lajme nga “Kamp Nou”.
Vetë Mesi duket se ka treguar me gisht njeriun e duhur për të zëvendësuar Nejmarin. Ky duhet të jetë Paulo Dibala, argjentinasi virtuoz i Juventusit, që i tregoi vlerat e tij pikërisht ndaj Barçës në Champions. Patrioti 23-vjeçar i Mesit mund të jetë goditja e madhe, që mund të kushtojë plot 140 milionë euro.
Një objektiv i rëndësishëm është sulmuesi i Dortmundit, Usman Dembele. Klubi gjerman, siç njoftohet, kërkon më shumë se 100 milionë euro që duket se i janë ofruar. Ja një shënjestër që mund të goditet shpejt, Filip Kutinjo. Ylli brazilian mund të merret që të martën, sipas “El Mundo Deportivos”. Barcelona ka nisur bisedimet dhe shpreson që Liverpuli të pranojë ofertën deri në 100 milionë euro
Mediat spanjolle i bëjnë jehonë njoftimit të gazetës gjermane “Bild”: Agjenti i Julian Drakslerit, në Barcelonë. Roxher Vitman mund të bisedojë me katalanasit për 23-vjeçarin që është pikërisht tek Paris SG. Barça ka si synim të parë Marko Verratin, gjithashtu lojtar të parizienëve, por klubi francez e cilëson mesfushorin italian si të pashitshëm. Në “Kamp Nou”, gjithashtu, po mendojnë edhe për futbollistin tjetër të PSG-së, Angel Di Maria.
Një tjetër pistë jepet nga gazeta britanike, “Dejli Ekspres”, sipas së cilës, Barcelona do t’i përdorë paratë e marra nga Nejmari për të siguruar Dil Ejlin, talentin e ri të Totenhemit. Duket se klubi i presidentit Bartomeu dhe i trajnerit Valverde, po punon njëkohësisht në disa drejtime, për të arritur maksimumin e mundshëm të përforcimit të skuadrës.
Sfidanti.al