Në Itali thonë se humbja me Çelsin ishte “semafor i kuq” për Milanin!

Nuk mjaftoi humbja e parë 0-3 në “Stemford Brixh”. Nëse për natën e zezë në Londër mund të gjenden justifikime, që nga mungesat, e deri tek “ndodh ndonjëherë kështu”, kur kjo përsëritet për vetëm 6 ditë, atëherë ngrihen pikëpyetje. Milani cilësohet si skuadra më moderne italiane, madje ka marrë lavdërime më shumë sesa Napoli fluturues, por disfata e dytë me Çelsin është një “njollë”. Përfundoi 0-2 në “San Siro” me gola të Zhorginjos me penallti dhe të Obamejangut dhe me daljen me të kuqe të Tomorit që pengoi Mauntin, duke shkaktuar 11-metërshin e rrjetës së parë.

Një kombinim fatal rrethanash që bëjnë që kuqezinjtë të shihen me sy disi më të ndryshëm. Ende nuk e kanë cilësinë dhe përvojën europiane, nëse përballë kanë një ekip në formë të plotë dhe me potencial të madh si Çelsi. Statistikat flasin vetë, pasi Blutë e Londrës mbajtën topin 64 për qind, patën 14 gjuajtje ndaj 7 dhe 4 në kuadrat ndaj vetëm 1. Edhe kornet ishin 5-2 për anglezët, dhe këto shifra kanë një kuptim, edhe pse Milani me dy fitore kualifikohet. Këtë herë nuk pati minuta për Armando Brojën, sepse zëvendësimet ishin për në mbrojtje e në mesfushë.

Sfidanti.al