Napoli dominon në Frankfurt, është një favorit për Championsin

Reali mbetet gjithnjë Real dhe nuk mund të zbritet nga vendi i parë i pretendentëve, por gjithsesi bukuria e futbollit e deshi që këtë sezon të dilte një kandidat tjetër. Napoli, skuadra më e bukur dhe më e fortë e Serisë A, u shfaq pikërisht e tillë në Champions duke triumfuar 2-0 në Frankfurt pa lënë asnjë diskutim. Rezultati 0-2 bën që italianët të jenë thuajse të kualifikuar për në çerekfinale, edhe pse “magjistari” Kviça Kvarackelia e humbi një penallti.

Menduan Viktor Osimhen dhe Xhovani Di Lorenco për të shënuar golat, nga një në secilën pjesë loje, ndërsa Ajntrahti vendas mbeti me 10 lojtarë që në 58’, kur doli me të kuqe sulmuesi francez, Randal Kolo Muani. Dominimi i Napolit të Luçiano Spaletit ishte i frikshëm edhe pse jashtë fushe dhe ndaj një ekipi të fortë që vjet fitoi Ligën e Europës. Plot 67 për qind mbajtje e topit, 12 gjuajtje drejt portës ndaj 3 të vendasve dhe 9 në kuadrat ndaj vetëm 1!!! Deri edhe goditjet nga këndi ishin për italianët, 9-4!

Sfidanti.al