Në fundin e viteve 90-të, avokati i famshëm Xhani Anjeli, tha një batutë. “Nuk e di se çfarë do të ndodhë më shpejt, që Juventusi të fitojë Serinë A, apo që Ferrari të fitojë Botërorin”. Ndodhi e para, pasi skuadra e Lipit triumfoi në 1995, ndërsa “kokëkuqja” në vitin 1999 me Shumaherin, ndërsa sot një tjetër “ferraristo-juventin” bën një koment të ngjashëm me Anjelin.
Luka di Montexemolo, ish-shef i skuadrës së Formula 1, ka një pohim. “Juventusi do ta fitojë Championsin (jo Serinë A) më përpara sesa Ferrari do të fitojë Botërorin”, – është deklarata e tij. Padyshim shefi i sotëm, Arrivabene, dhe Sebastian Feteli nuk janë dakord, ndërsa Di Montexemolo ka një kritikë për të parin.
“Arrivabene ka bërë gabim që ka kritikuar Fetelin publikisht, duke e quajtur fajtorin kryesor që Ferrari humbi Botërorin, – u shpreh ai, – pilotët dhe teknikët duhen mbrojtur në publik, ndërsa kritikat duhet të jenë brenda skuadrës. Kjo bën që unë të mendoj që Ferrari do ta ketë të vështirë të fitojë në 2019”.
Sfidanti.al