Një zhvillim i papritur mund të ndodhë në Premier Ligë, gjithnjë nëse të gjitha palët do të jenë dakord. Mançester Junajtid, sipas lajmeve mediatike, po mendon që të zëvendësojë Zhoze Murinjon me Maurisio Poçetinon, trajnerin e Totenhemit. Gazeta “Deili Meil” shkruan se drejtuesit e “Old Trafordit” ia kanë vënë syrin argjentinasit, pasi duket se nuk kanë më besim tek portugezi, pas sherreve të shumta me lojtarët dhe rezultateve nën pritshmëritë. Për “Deili Meilin”, problem i madh është pagesa, pasi rokada Poçetino-Murinjo mund të kushtojë mbi 40 milionë paund stërlina.
Poçetino ishte i përzgjedhuri i Realit të Madridit, pas largimit të Zidanit, por ai nuk pranoi të largohej nga Totenhemi. Besohet se vështirësia kryesore për Junajtidin do të jetë pikërisht që të kandisë argjentinasin me karakter të fortë që të braktisë Londrën për Mançesterin. Kur nuk e bëri për Madridin, vështirë që kjo mund të ndodhë.
Sfidanti.al