Ishte një ndeshje që në fillim u duk e lehtë, dhe pastaj ngjau si një mbrëmje e mallkuar. Milani ndaj Fiorentinës e nisi shkëlqyeshëm duke shënuar gol që në minutën e 2-të me anë të “kanakarit” Rafael Leao, veçse dalë nga dalë “doli nga shinat” dhe e pësoi nga Antonin Baraku në 28’. Kampionia e Italisë e ndjeu goditjen dhe luftoi më shumë me nerva dhe me forcën e dëshpërimit sesa me ide të qarta dhe lojë të rrjedhshme. Kjo bëri që ndeshja t’i dilte duarsh dhe që Fiorentina të luante më mirë, siç e thonë statistikat: 52 për qind mbajtje topi, gjuajtjet 7-5 për miqtë, në kuadrat 3-2 po për miqtë ashtu si edhe kornet 7-5! Gjithsesi, një ekip që e do fitoren dhe që di pak më shumë për suksesin, ia del mbanë ndaj një skuadre që ka dëshirë dhe mundësi, por që i mungon përvoja. Në sekondat e fundit (90’+4) erdhi autogoli i Nikola Milenkoviçit që vulosi sfidën 2-1 për kuqezinjtë që kanë tani 33 pikë, duke qenë 8 pikë pas Napolit në vendin e dytë në Serinë A.
Sfidanti.al