Mekgregori në pranga, një rast kur ligji të duket aq i bukur!

Ligjet janë si puna e një toke që dikur nis e rrëshqet, pra bëhet e rrezikshme, por ka raste kur i pranon me kënaqësi pavarësisht rrezikshmërisë që sjellin. Një rast i tillë është kur i vihen prangat një “harbuti” si Konor Mekgregori, dhe kur më në fund, publiku nuk bombardohet vetëm me famën e heroit të sportit, por edhe kur shikon arrogancën dhe agresivitetin të vendosur nën “zgjedhë”.

I tillë u duk Mekgregor kur doli nga Rajoni i Policisë së Nju Jorkut në SHBA, pas agresionit që bëri ndaj autobusit me disa prej kampionëve të UFC-së, duke lënë edhe të plagosur. Policia veproi, i vuri prangat fajtorit, dhe pikërisht me duar të lidhura ai shkoi nga rajoni policor për në sallën e gjyqit.

Dekada më parë, Majk Tajson përfundoi po kështu pas akuzës për përdhunim, ndërsa më pas mori dënim me burg. Ndryshimi i vetëm ishte se Mekgregori u shoqërua nga policë shtatlartë, ndërsa në rastin e Tajsonit, në një moment, ai pati pranë një oficere vajzë, që ishte e shkurtër, ndërsa nënkuptimi ishte i qartë: Ligji është i fortë, dhe të bën zap edhe kur polici të duket i vogël”.

Mekgregor u lirua me kusht, pasi pagoi 50 000 dollarë, ndërsa do të duhet të paraqitet në seancën e radhës. Nuk dihet se çfarë dënimi mund të marrë kampioni irlandez i arteve marciale, por nëse dënohet ai mund të mos pranohet më në tokën amerikane, ndërsa karriera mund të marrë fund.

Sfidanti.al