Mediat polake thonë se Polonia do të luajë me “thikë në fyt”!

Duket larg lumturia e shtatorit të dy viteve më parë. Atëherë Polonia fitoi 4-1 ndaj Shqipërisë në “Stadiumin Kombëtar” në Varshavë në eliminatoret e Botërorit, por sfida e sotme e orës 20:45 në eliminatoret e Europianit mund të jetë ndryshe. “Gazeta Viborça” shkruan se skuadra polake i afrohet kësaj ndeshjeje “me thikë në fyt”, pas humbjes që pësoi në fushën e Çekisë. Platforma kryesore televizive sportive, “Polsatsport” shkruan se përshtypja është sikur trajneri Fernando Santos ka shkelur në një minë, duke sqaruar se portugezi firmosi për të drejtuar Poloninë pa e ditur skandalin që është krijuar lidhur me çështjen e shpërblimeve.

Mediat polake paralajmërojnë se ekipi i tyre do të gjejë përballë një tjetër Shqipëri, që do të jetë më e bashkuar, me luftarake dhe nuk do të lejojë hapësira prapa. Gazeta “Przheglad Sportovi” titullon se Fernando Santosi nisi që në fillim të ndihet si polak, ndërsa i kërkon trajnerit që të kthehet e të jetë vetvetja. “Nëse Polonia nuk e mund Shqipërinë, besimi i tifozëve tek trajneri do të vihet nën një test të vështirë, – vazhdon e përditshmja kryesore sportive, – gjithsesi, vështirë të besohet se bardhekuqtë do të dështojnë sërish. Ata janë të dobët, por jo kaq shumë”.

Legjenda të futbollit polak kanë bërë kritika të shumta për kombëtaren. Grzhegorzh Lato, ylli i madh i viteve 70-të, kritikoi Robert Levandovskin dhe paralajmëroi se ndaj Shqipërisë do të jetë shumë e vështirë. Po ashtu, personaliteti i viteve 80-të, Zbignjev Bonjek, kërkoi që polakët të kenë këllqe dhe karakter, ndryshe nuk do t’ia dalin dot.

Sfidanti.al